Pages

Monday, May 13, 2013

Ambasadori amerikan fans i Aurela Gaçes

Një klub në Tiranë, ku performojnë Vëllezërit Korçarë dhe Aurela Gaçe, është vizituar nga një mysafir i veçantë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Alexander Arvizu, ka zgjedhur këtë ambient për të kaluar disa orë argëtuese nën shoqërimin e muzikës së bukur shqiptare.
E emocionuar nga kjo befasi, këngëtarja ka shkruar në Facebooknjë status, ku tregon ndjesitë që e kapluan dhe atë çfarë ka mësuar në gjithë këto vite karrierë.
“Ambasadori amerikan, z. Alexander Arvizu, na vizitoi të premten në ‘Crazy Calvin’. Ishte eveniment, sepse nuk di që të ketë shkuar diku të argëtohet. Dhe ajo që të bënte shumë përshtypje, ishte se një herë u ul së bashku me gjithë stafin e tij në zonën VIP, por pas pak çastesh shoh që u transferuan të gjithë në tavolinën e parë ngjitur me skenën. Dhe kërcente dhe shijonte muzikën tonë të bukur shqiptare. Mbasi kisha kënduar disa këngë botërore shumë të njohura, iu drejtova dhe e falënderova që ishte aty. Por, i thashë: ‘E di që unë nuk mund të të çudis me këngë botërore, sepse këto ti i ke dëgjuar nga vetë ata që i kanë bërë këto këngë’. ‘A ke dëgjuar ndonjëherë labçe?’, - i thashë. Ai pohoi me kokë që ‘po’. Nga eksperienca ime e 20 viteve me çdo lloj publiku, deri edhe në atë publik të ftohtë e të kollarisur, tek salla e mbushur vetëm me të huaj, kam kuptuar se ata të duan e të respektojnë më shumë kur ti nuk ke turp nga vetja, nga muzika jote. E vlerësojnë shumë faktin që ti mund të këndosh hite botërore, por më besoni që, vlerësojnë edhe më shumë faktin që ti në pjatën që servir, ke edhe bukën e vendit tënd. Për 20 minuta, u mundova të këndoj disa këngë specifike shqiptare nga ato më të veçantat e zonave, si p.sh.: nga Vlora, Tirana, Tropoja, Dibra, dhe besojeni ose jo, ai ishte i ekzaltuar dhe shijonte muzikën tonë. E vërteta është se Amerika është i vetmi vend në botë që të lejon e të inkurajon të jesh vetja. E atë mbrëmje të së premtes së kaluar, ishim vetja jonë, e kjo e bëri ambasadorin Arvizu të qëndronte afër orës 3 am, duke qeshur e duke respektuar çdo njeri që i kërkonte një fotografi si kujtim. Dhe ne si staf, i jemi mirënjohës çdo njeriu që vjen e na viziton, që vjen e dëshiron të argëtohet me ne. Jam e lumtur që mora vendimin të performoj në Tiranë çdo javë, sepse duket sikur publiku e ka pasur të nevojshme të më njohë nga afër e jo vetëm nga skena e kutia e televizorit. Edhe unë po jap shpirtin, sepse nuk di të bëj gjoja sikur këndoj. Lodhem vërtet, nuk dua të gënjej. Por nuk do t’i dëshiroja kurrë vetes një profesion tjetër. Që e vogël, kam ëndërruar të jem në skenë, të bëhesha këngëtare. Nuk kam pasur asnjë ëndërr tjetër siç mundet fëmijët të përmendin shumë profesione. Dhe tani që dal në publik e ëndrra m’u bë realitet, ndjej se e kam shpirtin plot, plot. E sidomos tani që më është shtuar edhe arsyeja më e fortë që ta dua jetën edhe më shumë, tani që kam fëmijën tim, familjen time... Çfarë tjetër mund t’i kërkoj Zotit?! Vetëm të na japë shëndet”, ka shkruar Aurela, ndërsa transmeton Bluetooth.
Pas këtij statusi të gjatë nga ana e Aurelës, vjen edhe reagimi i ambasadorit Arvizu në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane nëFacebook: “Faleminderit për mesazhin, Aurela Gaçe! Ne ia kaluam shumë mirë të premten, teksa festuam debatin e tretë dhe të fundit rinor – shpresojmë që ta keni parë! ‘Crazy Calvin Live’ ishte një vend i mrekullueshëm për të festuar! Aurela, vëllezërit Korçarë, Endri & Stefi Prifti dhe të gjithë këngëtarët ishin fantastikë dhe ne të gjithë e shijuam muzikën popullore shqiptare! Sidomos këngët labe. Faleminderit që festuat me ne! - Ambasadori Alexander A. Arvizu”. /Estrada Kosovare/

0 comments:

Post a Comment