Pages

Thursday, May 30, 2013

Elhaida pushton Italinë (Video)

Elhaida Dani është fituesja e spektaklit italian të talentëve të këndimit, The Voice of Italy, duke u shpallur kështu zëri më i mirë në tokën italiane pas një nate të gjatë finale ku ajo shfaqi performanca të shkëlqyera.
Atmosfera në skenën e The Voice of Italy ishte mjaft e nxehtë në fillim, me miliona italianë të ulur pranë televizorëve. Kështu bënë edhe miliona shqiptarë, që ndonëse spektakli i madh nuk ishte në gjuhën shqipe, u përqëndruan para ekranëve të ‘vegjël’ për një njeri të vetëm.
Ishte Elhaida Dani që me sharmin dhe bukurinë prej femre shqiptare, arriti të shtrijë autoritetin qysh në rrethin e parë, ku ajo arriti që të rrëmbejë zemrat e të gjithëve, duke lënë të harruar konkurrentët tjerë finalistë Silvia Capason, Timothy Cavicchinin dhe Veronica De Simone.
Performanca e këngës legjendare të Witney Houston, “I Will Always Love You” u karakterizua nga një interpretim i lehtë, i shoqëruar nga një zë i bukur në një paraqitje skenike që lehtë mund të krahasohej me vet këngëtaren legjendare amerikane. Konkurrentët tjerë ishin më pak impresive, përjashtuar Timothyn, që dukej si kandidati i vetëm serioz kundër bukuroshes tonë.
Në rrethin e dytë të finales së jashtëzakonshme të The Voice of Italy ishin trajnerët e finalistëve ata që u bashkëngjitën në skenë për të interpretuar këngë të vjetra italiane.
Elhaida bashkë me trajnerin e saj, kantautorin e njohur italian, Riccardo Coccianten, kënduan këngën “Magherita”. Interpretimi fantastik nga dyshja, i kësaj kënge të njohur, u shoqërua nga një prezantim dinjitoz i Elhaidas në këngën promovuese. Ajo tha se në Shqipëri kjo këngë është e njohur dhe se miliona shqiptarë po e shikojnë atë.
Rrethi i tretë ishte shumë konkurrues. Elhaida në skenë u paraqit me këngën e lehtë italiane të kompozuar nga trajneri i saj, “When Love Calls You”. Paraqitja inspiruese e Elhaidas bëri publikun të qajë, ashtu sikurse të rrënqethë trajnerin e saj.
“Interpretimi ishte fantastik, vërtet ndihem i kënaqur që dikush si të e këndoi këngën time, e cila është një këngë e lehtë italiane. Shkëlqeve si një diamant, je e mrekullueshme”, ishin fjalët e trajnerit Riccardo Cocciante pas performancës së tretë të Elhaidas në skenën e The Voice.
Vlen të përmendet se impresiv në paraqitjet e tij skenike ishte edhe konkurrenti i vetëm nga gjinia mashkullore, Timothy, i cili ishte tejet i fuqishëm megjithëse shfaqi dyshime kur bëhej fjalë për këngët e lehta.
Pasi përfunduan performancat, ishte publiku ai që vendosi. Në rrethin e parë të votimeve, pasi Veronica u kualifikua, ethet e kapluan Elhaidan e cila u lirua shpejt, duke mësuar se ëndrra e saj vazhdoi.
Para verdiktit final, Elhaida shfaqi kualitetet e saj me performimin e këngës “Mama Knows Best”, duke lënë me mbresa publikun italian dhe trajnerin e saj Riccardo Cocciante. Tani ne pritje te verdiktit...

E plotesuar - Elhaida ka arritur të kalojë edhe rrethin e dytë të votimeve. Në votimin përfundimtar ajo do të jetë kokë më kokë me konkurrentin dhe rivalin e saj kryesor, Timothy Cavicchinin. Emocionet janë rritur, rrahjet e zemrës po ashtu...

E plotesuar -Pas rrethit të parë dhe të dytë të votimeve, Timothy dhe Elhaida performuan edhe nga një këngë. I pari dështoi të përmbushte pritjet e këngës legjendare “Senza Parle”, teksa publikun e ngriti në delir Elhaida me këngën “Adagio” që në masë të madhe ndikoi edhe në verdiktin përfundimtar. Tani s'ka kush ta ndalë Elhaidan drejt pushtimit të tokës italiane... për pak momente verdikti përfundimtar... 

Në rrethin përfundimtar Elhaida e emocionuar priti vendimin e publikut, që ishte në favor të saj. Lotët e gëzimit rrjedhnin pa pushim, ndërsa Elhaida nuk nguroi të përshëndesë bashkëkombasit e saj.
“Faleminderit”, u shpreh Elhaida në gjuhën shqipe pas triumfit të madh.
Ajo me këtë fitore ka siguruar një kontratë me Universal Music Studios, për regjistrimin e një albumi.
Ky është një prej sukseseve më të mëdha të një artisti shqiptarë jashtë kufinjve shqiptarë, sidomos nëse marrim parasysh se Elhaida e vetme arriti të mposhtë mijëra zëra tjerë nga gjithë Italia për t’u shpallur më e mira. 
/Estrada Kosovare/

0 comments:

Post a Comment